Sindikata e Policisë së Kosovës dënon atentatin ndaj Rreshter Muhamed Likës: Sulm ndaj shtetit dhe sigurisë publike
Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar ashpër atentatin kriminal që i mori jetën Rreshter Muhamed Likës duke e cilësuar këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë publike, ligjit dhe vetë shtetit të Kosovës.
Në reagimin e saj, Sindikata thekson se çdo sulm ndaj një zyrtari policor është një goditje ndaj Republikës së Kosovës dhe se përpjekjet për të minuar themelet e shtetit nuk do të tolerohen.
“Shtylla kryesore e rendit dhe sigurisë në vend është Policia e Kosovës. Prekja e saj është përpjekje për të minuar themelet e shtetit tonë dhe nuk do të tolerohet. Kërkojmë nga institucionet e drejtësisë veprime të menjëhershme për zbardhjen e këtij akti kriminal dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve,” thuhet në deklaratën e Sindikatës.
Tutje, Sindikata ka shprehur mbështetjen e palëkundur për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës, duke nënvizuar se aktet e frikësimit nuk do të ndikojnë në përkushtimin e tyre ndaj detyrës dhe Republikës.
“Nder dhe lavdi për sakrificën e Rreshter Muhamed Likës,” përfundon deklarata. /Kosova.info/
