Maloku: LDK po luftohet vazhdimisht, edhe kur është në pushtet edhe kur është në opozitë

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doruntinë Maloku, ka reaguar ndaj sulmeve të vazhdueshme ndaj partisë së saj duke theksuar se që pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, LDK po përballet me një luftë të pashembullt speciale për ta sunduar dhe shkatërruar.

Maloku theksoi se sulmet ndaj LDK-së nuk janë të reja, pasi partia ka qenë e goditur që nga themelimi i saj, por lufta më intensive është zhvilluar gjatë periudhës post-rugoviane. Sipas saj, është krijuar një perceptim i qëllimshëm se LDK ka faj për çdo zhvillim në Kosovë, pavarësisht nëse është në pushtet apo në opozitë.

“Praktikisht, ne kemi faj për gjithçka. Kemi faj pse ekzistojmë. Cenimi i dinjitetit të LDK-së është qëllim përbashkues i të gjitha partive në Kosovë,” ka deklaruar ajo.

Sipas Malokut, sa herë që LDK është në një pozicion të favorshëm, kundërshtarët e saj bëhen bashkë për ta luftuar, ndërsa kur është më e dobët, synimi është ta shkatërrojnë.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur LDK po përballet me tensione të brendshme dhe kritika të jashtme duke reflektuar mbi sfidat politike që kjo parti ka kaluar ndër vite. /Kosova.info/


Go to TOP