Berisha dhe Quni reagojnë ndaj insinuatave ndaj Hysen Çekajt: Të ndalet diskursi i papranueshëm ndaj familjeve të heronjve
Ish-ministrat dhe komandantët e luftës, Rrustem Berisha dhe Anton Quni, kanë reaguar publikisht pas deklaratave të Sekretarit dhe këshilltarit ligjor të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, sipas tyre, përmendën në mënyrë nënçmuese dhe insinuative emrin e Hysen Çekajt në kontekst të votimit me postë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në reagimin e përbashkët, Berisha dhe Quni shprehin shqetësimin e tyre për diskursin e përdorur nga eksponentët e Vetëvendosjes, të cilin e konsiderojnë të papranueshëm dhe të mbështetur në supozime të pabaza.
“Të përmendësh emrin e Hysen Çekajt në një kontekst që hedh hije dyshimi mbi suksesin e tij elektoral, është jo vetëm e padrejtë, por edhe e pamoralshme. Hyseni është biri i heroit Sali Çekaj, një nga figurat kyçe të rezistencës për lirinë e Kosovës,” thuhet në reagim.
Berisha dhe Quni theksojnë se insinuatat e tilla kanë indinjuar jo vetëm familjen Çekaj, por edhe bashkëluftëtarët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, veteranët dhe të gjithë ata që e njohin sakrificën e kësaj familjeje.
Ata kujtojnë kontributin e heroit Sali Çekaj, si një nga shtyllat e rezistencës kombëtare, dhe nënvizojnë se respekti për familjet e dëshmorëve është detyrim moral për çdo qytetar dhe sidomos për ata që sot mbajnë pozita në institucione.
“Suksesi i Hysen Çekajt në votat e diasporës nuk është produkt i manipulimeve, por rezultat i respektit që ai dhe familja e tij gëzojnë në mërgatë dhe në Kosovë,” theksojnë dy komandantët.
Në fund të reagimit, ata ftojnë ata që kanë ngritur insinuata, që më 9 prill, në Ditën e Veteranëve të Betejës së Kosharës, t’i bashkohen për të nderuar sakrificën e Sali Çekajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, dhe më 19 prill të reflektojnë mbi peshën e kësaj sakrifice për lirinë e Kosovës.
“Kush nuk e kupton këtë, ose nuk e njeh historinë, ose ka zgjedhur ta harrojë,” përfundon reagimi. /Kosova.info/
