Skandali i 27 tonë mish pule me Salmonella: Resuli akuzon Ministrinë e Bujqësisë për fshehje dhe krim ndaj qytetarëve

Presidenti i Urdhrit Profesionit të Mjekut Veterinar shqiptar, Ervin Resuli, ka akuzuar publikisht Ministrinë e Bujqësisë, AKU-në dhe ISUV-in për fshehjen e një prej skandaleve më të rënda të sigurisë ushqimore në vend. Sipas Resulit, në datën 11 mars 2025, në Shqipëri kanë hyrë 27 ton fileto pule nga Brazili, ku analizat laboratorike të kryera nga ISUV kanë konfirmuar praninë e lartë të bakterit Salmonella Typhimurium, jashtë normave të lejuara.

Megjithatë, analiza që duhej të përfundonte brenda 72 orësh u zvarrit për plot 10 ditë, duke lejuar që mishi i kontaminuar të shpërndahej dhe të konsumohej nga qytetarët në supermarkete, restorante dhe fast food-e në të gjithë vendin. Përgjigja zyrtare e analizave u publikua vetëm më 21 mars, por as AKU dhe as Ministria e Bujqësisë nuk ndërmorën ndonjë masë urgjente për të ndaluar qarkullimin e këtij produkti, duke heshtur deri në momentin që skandali u denoncua nga mediat investigative si “Piranja”.

Resuli thekson se ky nuk është rasti i parë i fshehjes së produkteve të rrezikshme për shëndetin publik. Ai përmend gjithashtu mandarinat me pesticide dhe peshkun (açuket) me parazitë, duke akuzuar institucionet përgjegjëse për një dështim sistematik dhe të qëllimshëm në misionin e tyre për të mbrojtur qytetarët.

Sipas tij, ISUV është shndërruar në një strukturë burokratike, pa asnjë efektivitet, ndërsa AKU ka humbur besimin e publikut duke lejuar që produktet e rrezikshme të përfundojnë në tryezat e shqiptarëve. Ai shton se dyshimet janë të forta që rasti është fshehur me vetëdije, për të favorizuar interesat e disa grupeve të lidhura me tregtarët dhe zyrtarët.

Resuli kërkon hetim të menjëhershëm nga SPAK, duke e cilësuar këtë ngjarje si një krim kundër jetës së qytetarëve shqiptarë dhe një kërcënim serioz për sigurinë ushqimore në vend. “Sa raste të tjera janë fshehur? Sa herë janë shitur produktet e helmuara me dijeninë e institucioneve? Ky nuk është më dështim, por bashkëpunim kriminal,” deklaron ai.

Ai kërkon që përgjegjësit, nga drejtuesit e AKU e deri te zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, të përballen me drejtësinë, sepse jetët e shqiptarëve nuk mund të sakrifikohen për interesa politike apo ekonomike. /Kosova.info/


Go to TOP