ZRrE nuk shqyrtoi sot tarifat e reja, presin komente deri në ora 16:00

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në seancën e dytë të mbajtur për këtë vit, nuk ka trajtuar si pikë, shqyrtimin e tarifave të energjisë, kjo meqë ende deri në ora 16:00 janë të hapur për komente sa i përket kësaj çështjeje.

“Sa i përket procesit të shqyrtimit tarifor, gjatë kësaj seance nuk është trajtuar ndonjë pikë lidhur me këtë çështje, pasi afati për dorëzimin e komenteve është ende i hapur dhe do të mbyllet sot deri në ora 16:00. ZRRE do t’ju mbajë të informuar për të gjitha zhvillimet në vazhdim, duke synuar një proces transparent dhe te hapur të shqyrtimit tarifor”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Rregullatorit.

Zyra e Rregullatorit ndërkaq ka dalë me sqarim për opinionin publik lidhur me raportimet për bllokimin e sistemit të pranimit të komenteve nga qytetarët

“Në lidhje me disa reagime nga qytetarët se kanë raportuar rreth vështirësive në lënien e komenteve dhe bllokime të sistemit të pranimit të komenteve gjatë periudhës së fundit, Zyra e Rregullatorit për Energji dëshiron të bëjë të ditur se të gjitha komentet e dërguara nga qytetarët janë marrë në shqyrtim dhe nuk ka pasur asnjë bllokimi të pranimit në e-mail adresën e dedikuar për komente”, thuhet në sqarimin e ZRrE-së.

Kanë siguruar qytetarët se çdo komunikim është trajtuar me seriozitet dhe se të gjitha ankesat dhe komentet janë regjistruar në sistemin e institucionit pa asnjë ndërprerje.

“Pas verifikimeve të kryera, rezulton se nuk ka pasur asnjë problem teknik në sistemin e pranimit të komenteve. Ne sigurojmë që të gjithë qytetarët dhe palët tjera që kanë dërguar komente do të kenë mundësi të marrin përgjigje rreth tyre. ZRRE-ja është e angazhuar për një komunikim të hapur dhe transparent me qytetarët dhe do të vazhdojë të ofrojë mundësinë për dërgimin e komenteve dhe ankesave”, thuhet në sqarimin e Rregullatorit të Energjisë. /Kosova.info/

Go to TOP