Abdixhiku nga Gjakova: LDK qëndron e palëkundur përballë presioneve politike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, zhvilloi një takim në Gjakovë, ku u takua me qytetarë dhe mbështetës të partisë, duke i falënderuar për përkrahjen e tyre.
Gjatë fjalës së tij, Abdixhiku theksoi se turneu i falënderimit po vazhdon dhe se ai ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët duke dëgjuar shqetësimet dhe mbështetjen e tyre për LDK-në.
Duke iu referuar kritikave dhe sulmeve ndaj LDK-së, Abdixhiku u shpreh i prerë se partia nuk do të ndikohet nga presionet politike apo nga “mendimtarë publiko-partiakë” që përpiqen t’i imponojnë qëndrime. “Lodhni kot! LDK po flet drejt, po flet siç e kanë drejtuar votuesit e vet,” tha a, duke shtuar se partia ka një qasje realiste dhe të qartë ndaj zhvillimeve politike në vend.
Ai po ashtu nënvizoi se presionet e jashtme nuk do ta ndryshojnë rrugën e LDK-së, duke lënë të kuptohet se partia ka fituar qëndrueshmëri dhe është më e vendosur se kurrë. “Ndoshta janë mësuar që kjo LDK t’ua bëjë politikën për qejf, ndoshta kanë menduar se mund ta thyejnë me presion, por ky presion vetëm po na forcon,” deklaroi ai.
Në përmbyllje, Abdixhiku përsëriti mesazhin e tij për unitet brenda partisë dhe rëndësinë e LDK-së për të ardhmen e Kosovës: “Së pari LDK! Sepse me LDK dhe Kosova!”. /Kosova.info/
