Vëllaznimi triumfon në finalen Ligës Unike
Vëllaznimi është shpallur kampion i Ligës Unike në basketboll në një finale dramë kundër Prishtinës, duke triumfuar me rezultat 91-88 pas vazhdimeve.
Koha e rregullt ka përfunduar me barazim 78-78, pasi të dy skuadrat nuk ia kanë dalur të shfrytëzojnë gjuajtjet e lira në momentet vendimtare.
Arian Azemi e ka pasur mundësinë ta siguronte fitoren për Vëllaznimin katër sekonda para fundit, por ka realizuar vetëm një nga dy gjuajtjet e lira. Ka pasuar një pasim i gabuar nga Rashid Mahalbashiq dhe një tentim i pasuksesshëm për tri pikë nga Arbër Sinani, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime.
Edhe pesë minutat shtesë kanë qenë të tensionuara, por në fund “kuqezinjtë” e Vëllaznimit kanë dalur fitues. Atik Koshi ka realizuar dy pikë nga gjuajtja e lirë për 89-86, ndërsa Clark i Prishtinës ka ngushtuar në 89-88. Në kundërsulm, Sinani ka shënuar për 91-88, ndërsa tentimi i Fisnik Rugovës nga gjysma e fushës për tri pikë ka dështuar, duke i dhënë fund finales me festën e e gjakovarëve.
Arian Azemi ka qenë lojtari më i mirë për Vëllaznimin me njëzet e katër pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime, ndërsa për Prishtinën, Mahalbashiq është dalluar me nëntëmbëdhjetë pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime.
Finalja është ndjekur nga tifozëritë dhe në mesin e të pranishmëve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve ka qenë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ndërkohë, Golden Eagle Ylli nuk e ka zhvilluar ndeshjen për vendin e tretë kundër Besëlidhjes, duke e arsyetuar mungesën me lodhjen e lojtarëve, ndeshjen e radhës ndaj Bashkimit dhe lëndimet e shumta në ekip.
