IKD: Emërimi i Lipovicës në Drejtorinë e Akreditimit, shkelje e parimeve të qeverisjes së mirë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e Irfan Lipovicës në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). IKD e cilëson këtë vendim si të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e qeverisjes së mirë.

Lipovica është njëri ndër të dyshuarit kryesorë në rastin e njohur si “rezervat shtetërore”, një nga aferat më të mëdha të dyshuara për keqpërdorim të parasë publike në vitin 2023. Edhe pse prezumimi i pafajësisë mbetet i pacënuar, IKD vlerëson se promovimi i një zyrtari të përfshirë në këtë çështje minon integritetin e institucioneve dhe besimin e publikut.

IKD kritikon gjithashtu ministren e MINT-it, Rozeta Hajdari, për qasjen e saj ndaj këtij rasti. Sipas institutit, ajo nuk ka bashkëpunuar me sistemin e drejtësisë për zbardhjen e skandalit të rezervave shtetërore, por përkundrazi ka akuzuar Policinë e Kosovës për mënyrën e mbledhjes së provave. Kritika të ngjashme ndaj sistemit të drejtësisë, sipas IKD-së, kanë ardhur edhe nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor, ministrja Hajdari e ka mbrojtur publikisht Lipovicën duke e konsideruar të pafajshëm. Jo vetëm që ai nuk është ndëshkuar, por tani është promovuar në një pozitë kyçe në institucionet shtetërore.

IKD e sheh këtë vendim si një mesazh të gabuar për shoqërinë duke dëmtuar besimin e qytetarëve në institucionet publike. Veçanërisht shqetësues, sipas IKD-së, është fakti se emërimi i Lipovicës vjen pasi nga kjo ministri është shkarkuar një zyrtar që kishte sinjalizuar keqpërdorimet në rastin e rezervave shtetërore.

IKD i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë menjëherë këtë vendim dhe të vendosë standardet e qarta për emërimet publike, në mënyrë që të garantohet transparenca dhe llogaridhënia në qeverisje. /Kosova.info/


Go to TOP