Spahiu kritikon Presidencën: Osmani nuk është patriote, takimet e saj nuk po i sjellin dobi Kosovës
Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka reaguar ndaj Presidencës së Kosovës pas një deklarate të saj për komentet e tij mbi aktivitetet e Presidentes Vjosa Osmani. Spahiu theksoi se ai nuk ka shpifur, por vetëm ka vlerësuar se takimet e Osmanit me homologë nuk po sjellin ndonjë përfitim për Kosovën.
“Se ajo shfrytëzon faktin që është femër dhe flet anglishten me theks për të takuar homologë, kjo është pozitive, por problemi qëndron se Kosova nuk po përfiton nga këto takime,” tha ai.
Sipas profesorit, arsyeja kryesore për këtë është mungesa e patriotizmit te Presidentja Osmani. Ai madje e lidh këtë me mënyrën se si ajo e shqipton emrin e vendit në anglisht. “Fakti që ajo thotë ‘KosovO’ dhe jo ‘KosovA’, siç bënte Ibrahim Rugova apo Albin Kurti, tregon se ajo nuk i jep prioritet agjendave të Kosovës, por vetëm atyre personale,” u shpreh Spahiu.
Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të ndryshme, ndërsa nga Presidenca ende nuk ka një përgjigje të re lidhur me këtë kritikë. /Kosova.info/
