Syla: Elektorati i VV-së lidhet vetëm me Kurtin, vlerësimet e Konjufcës për Thaçin nuk janë qëndrim zyrtar
Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka komentuar qëndrimet e elektoratit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), duke theksuar se ata janë të lidhur ekskluzivisht me Albin Kurtin dhe jo me deklaratat e zyrtarëve të tjerë të partisë.
Syla vlerësoi deklaratat e Glauk Konjufcës në Skënderaj për familjen e ish-Presidentit Hashim Thaçi, duke i cilësuar si të duhura. Megjithatë, ai nënvizoi se përkrahësit e VV-së nuk i shohin deklaratat e Konjufcës apo të ndonjë tjetër si qëndrim zyrtar të partisë mbi figura apo procese historike.
“Nëse këtë do ta kishte bërë Albin Kurti, situata do të ishte krejt ndryshe me disponimin e elektoratit,” tha Syla. Ai shtoi se Kurti ka pranuar meritat e Presidentit Ibrahim Rugova vetëm pas vdekjes së tij, por kurrë nuk do ta bëjë të njëjtën gjë për Hashim Thaçin, sa kohë që ai është gjallë.
Sipas Sylës, Kurti nuk do t’i njohë Thaçit as meritën e leximit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës duke reflektuar qasjen e tij ndaj figurave historike të vendit. /Kosova.info/
