Sallahu akuzon PZAP-in se legjitimoi keqpërdorimin e votave me postë
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosjes për anulimin e 18 mijë votave të LDK-së me postë.
Sallahu, në një postim në Facebook, ka thënë se PZAP, ka dështuar të merret me thelbin e ankesës, duke i ikur kështu përgjegjësisë ligjore në trajtim të fakteve dhe provave të paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje.
“PZAP nuk ka bërë hetime administrative të asnjë kutie të votimit edhe pse janë paraqitur me qindra mostra te provave se manipulimet e votave me postë në mënyrë industriale kanë ndodhur. PZAP vendosi për legjitimim dhe legalizim të keqpërdorimeve të votave me postë, të orkestruar nga LDK dhe udhëheqja e saj. Shpresojmë se Gjykata Supreme nuk do të bie pre e papërgjegjësisë, joprofesionalizimit dhe ndikimit politik që PZAP ka pasur nga akterë politik dhe parapolitik” ka shkruar Sallahu në Facebook. /Kosova.info/
