Vendosen lule në Shkup, Mexhiti: Solidarizohemi me familjet e viktimave!

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Ismet Mexhiti, ka shprehur solidaritetin e tij me familjet e viktimave të tragjedisë së Koçanit, duke vendosur lule në sheshin `Skënderbeu` në Shkup, në nderim të jetëve të humbura në këtë ngjarje tragjike.

Mexhiti, në një postim të tij në rrjetet sociale, theksoi se ky akt ishte një shenjë e mbështetjes dhe solidaritetit të popullit shqiptar ndaj familjeve të viktimave dhe të lënduarve.

“Sonte, në Sheshin Skënderbeu, vendosëm lule në nderim të jetëve të humbura të viktimave në tragjedinë e Koçanit. Së bashku, e ndajmë dhimbjen e solidarizohemi me njëri-tjetrin. Sonte, në gjuhë të ndryshme flasim, por njëjtë i vajtojmë dhe pikëllohemi për të rinjtë dhe të rejat tona që i humbëm padrejtësisht. Lutjet dhe mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të lënduarit. Ata nuk janë vetëm në këtë dhimbje! Jemi bashkë!”, ka shkruar Mexhiti.

Kjo tragjedi ka tronditur të gjithë Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, ku 59 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas shpërthimit të zjarrit në një klub nate në Koçan. /Kosova.info/


Go to TOP