Revista `World of Interiors` publikon shkrim për BKK

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se në artikullin e botuar në revistën prestigjioze “World of Interiors”, arkitekti Bekim Ramku sjell historinë unike të saj, projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjaković në vitet ’70.

Njoftimin për publikimin e shkrimit në këtë revistë e ka dhënë BKK-ja në rrjete sociale, duke bërë me dije se aty është theksuar se Andrija Mutnjaković, duke projektuar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e përdori kupolën si një nga format themelore për ta shënuar ndikimin e Perandorisë Osmane në rajon. Arkitekti u frymëzua nga elemente bizantine dhe romanike për të krijuar një interpretim unik ballkanik të brutalizmit – dhe një ndërtesë që ndan opinionet.

“Me 74 kupolat e saj ikonike dhe fasadën me elemente alumini e gur lokal, biblioteka është një manifest i identitetit arkitektonik rajonal. Duke u distancuar nga koncepti i sallave të mëdha tradicionale, zonat e leximit janë ndarë në hapësira më private. Dizajni i saj krijon një hapësirë studimi të ngrohtë, funksionale dhe frymëzuese për lexuesit”, është shkruar në revistë, njofton BKK.

Po në njoftim thuhet biblioteka mbetet një nga simbolet më të rëndësishme arkitekturore të Kosovës dhe një destinacion i pashmangshëm për vizitorët dhe arkitektët nga e gjithë bota. /Kosova.info/


Go to TOP