Kurti për demonstratat e 1981: Nga rezistenca studentore te pavarësia e Kosovës

Në 44-vjetorin e demonstratave të marsit 1981, kryeministri Albin Kurti ka kujtuar protestën studentore që u kthye në një lëvizje gjithëpopullore për liri dhe të drejta në Kosovë. Demonstrata e 11 marsit 1981, e organizuar nga studentët e Universitetit të Prishtinës kundër shtypjes dhe diskriminimit jugosllav, u shtyp dhunshëm nga policia, por shënoi fillimin e një rezistence që vazhdoi për dekada.

Kurti theksoi se parulla “Kosova Republikë”, e lindur në ato protesta, u bë themel i aspiratës për pavarësi, duke u mishëruar në Kushtetutën e Kaçanikut më 1990 dhe shpalljen e pavarësisë më 2008.

Ai nderoi studentët dëshmorë, të plagosurit dhe të burgosurit politikë duke theksuar se demonstratat e 1981-shit ishin shtylla e rezistencës që çoi në çlirimin e Kosovës më 1999. /Kosova.info/


Go to TOP