Muharremi: Retorika e Kurtit sugjeron zvarritje të certifikimit, qeveria mbetet në pikëpyetje

Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar qasjen e Kryeministrit Albin Kurti ndaj procesit të formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas tij, insistimi i përsëritur i Kurtit për të pritur certifikimin e rezultateve përpara negociatave krijon përshtypjen se ky proces mund të zvarritet qëllimisht.

Muharremi theksoi se rezultatet e zgjedhjeve dihen tashmë dhe partitë kanë pasur një muaj kohë për të ndërtuar marrëveshje. Ai theksoi se Kurti, ndonëse ka legjitimitetin për të formuar qeverinë, ka humbur kredibilitetin si partner me retorikën e tij për partitë e tjera.

“48 deputetë të LVV-së, 10 të pakicave joserbe dhe 1 NR, në total 59 vota, nuk mjaftojnë për qeveri. Pa sqaruar se ku i ka dy votat e tjera, deklaratat e tij duken më shumë si blof”, tha Muharremi.

Ai paralajmëroi se një qeveri e dobët dhe e paqëndrueshme, e formuar pa një parti opozitare të madhe, rrezikon të dështojë shpejt, duke e futur Kosovën në krizë politike dhe zgjedhje të reja pa arritur ndonjë progres qeverisës.

Në fund, Muharremi apeloi për një qeveri stabile dhe kompetente, e cila mund të adresojë reformat dhe të navigojë në një mjedis global të trazuar, ku arkitektura e sigurisë po ndryshon ndjeshëm. /Kosova.info/


Go to TOP