Krasniqi: LDK-ja e përdori babanë e Edon Zhegrovës për fushatë, por ia vodhi votat

Gazetari Besnik Krasniqi ka ngritur akuza të rënda ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke pretenduar se brenda kësaj partie është zbuluar një skemë manipulimi zgjedhor në Vushtrri. Ai thekson se rinumërimi i vetëm një kutie votimi ka treguar se 63 vota të Lulzim Zhegrovës janë zhdukur, ndërsa qindra vota të tjera janë manipuluar në favor të kandidatëve të afërt me kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku.

“Në këtë kuti u janë vjedhur 41 kandidatëve për deputetë gjithsej 248 vota, ndërkohë që 51 kandidatëve të tjerë u janë përshkruar 380 vota që nuk ua ka dhënë votuesi,” ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, përfituesi më i madh nga kjo manipulim është Xhafer Tahiri, të cilit i janë shtuar 88 vota. Pas tij vijnë Lumir Abdixhiku dhe tre kandidatë të rrethit të tij: Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili dhe Hykmete Bajrami.

Krasniqi vë në pikëpyetje përmasën e manipulimit në shkallë të gjerë, duke marrë për bazë se ky fenomen është zbuluar vetëm në një kuti votimi nga gjithsej 2,693 në të gjithë Kosovën.

“Tani lind pyetja: Cila është përmasa e hajnisë që do të dëshmohej brenda LDK-së, sikur të rinumëroheshin të gjitha kutitë?” ka shkruar ai.

Ai vë theksin edhe te votat e diasporës, ku për Lulzim Zhegrovën, pavarësisht ndikimit të madh të djalit të tij Edonit – yllit të futbollit – janë numëruar vetëm 207 vota, duke e renditur të 98-in në listën e LDK-së.

“Kaq për partinë institucionaliste. Kaq për institucionalizimin e hajnisë,” përfundon Krasniqi duke akuzuar LDK-në për manipulime masive në procesin zgjedhor. /Kosova.info/


Go to TOP