Krasniqi: Kurti flet për ndërhyrjen e Serbisë, por nuk ndien përgjegjësi për ta parandaluar
Profesori dhe analisti Milazim Krasniqi ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për deklaratat e tij mbi ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë. Ai e cilëson qasjen e Kurtit si joserioze dhe të papërgjegjshme, duke e akuzuar për mungesë të veprimeve konkrete për ta parandaluar këtë ndikim.
“Është e pabesueshme se sa joserioz shfaqet Albin Kurti kur flet për ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë. Shefi i qeverisë, i cili na ka shurdhuar duke folur për sovranitetin e vendosur ‘cep në cep’, tani flet për këtë ndërhyrje, por pa ndier asnjë përgjegjësi morale apo ligjore,” ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, për çdo ndërhyrje të Serbisë në proceset zgjedhore, përgjegjësia bie mbi qeverinë, e cila duhet të kishte marrë masa parandaluese për të siguruar integritetin e votimeve.
“Prej kujt po kërkon llogari Albin Kurti për ndërhyrjen e Serbisë? Për zgjedhjen e deputetëve të Kosovës sipas shijes së Vuçiqit? Ku ka qenë KQZ, ku ka qenë policia dhe shërbimet, ku ka qenë Ministria e Drejtësisë?” ka pyetur ai.
Krasniqi e quan të papranueshme që kryeministri të flasë për këtë fenomen pa pranuar ndonjë përgjegjësi për dështimin në parandalimin e tij.
“Mos të kanë faj mediat? Mos të ka faj SBASHK-u?” ironizon ai duke theksuar se një qeveri pa përgjegjësi është një fatkeqësi për vendin. /Kosova.info/
