Muharremi: Brengat për numërimin e votave duhet të dëgjohen me mendjehapësi

Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar reagimet e figurave politike, si Arben Gashi, lidhur me procesin e numërimit të votave duke theksuar se shqetësimet e tyre duhet të dëgjohen me vëmendje dhe mendjehapësi.

Sipas Muharremit, raportimet për parregullsi në numërim, sidomos pas gjetjeve në rastin e Vushtrrisë, tregojnë nevojën për një sistem më të saktë dhe transparent.

“Nëse ka pasur raste ku numërimi nuk ka qenë i saktë, atëherë kjo mund të ketë ndikuar në rezultatin final. Edhe nëse ndikimi është i vogël, asnjë votë nuk duhet të tjetërsohet,” ka theksuar ai.

Ai shtoi se problematika e numërimit ka qenë temë diskutimi në të gjitha partitë, por mungesa e vullnetit politik ka penguar adresimin e saj.

“Ne duhet të rikthejmë besimin tek numërimi i votave nga komisionerët e partive, por edhe të identifikojmë mangësitë në sistem dhe t’i rregullojmë përmes amendamentimit të ligjeve dhe rregulloreve,” tha Muharremi.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur debati për integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në opinionin publik.


Go to TOP