Në Marinë të Skënderajt u mbajtën homazhe për nder të Epopesë
Me homazhe te varrezat e dëshmorëve në Marinë të Skënderajt ka vazhduar edhe dita e dytë e Epopesë së UÇK-së. Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Halil Krasniqi, babai i dëshmorit Mujë Krasniqi, i cili u përkul me krenari dhe mall para varrit të birit të tij.
Në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificës së familjes Jashari dhe të të gjithë të rënëve për liri, homazhe u bënë edhe në kompleksin memorial të dëshmorëve në Marinë të Skënderajt. Aty erdhi edhe babai i dëshmorëve Mujë e Ali Krasniqi, Halili.
Na e kanë sjellë lirinë ata neve bashkë me UÇK-në e ndihmën e aleatëve tanë që na kanë ndihmuar. Kosovën e kemi të lirë, ne duhet të jemi si duhet”, tha Halil Krasniqi.
Homazhe bënë edhe bashkëluftëtarë, familjarë e qytetarë nga vise të ndryshme.
“Është një ditë shumë me vlerë dhe sakrificë kur na kanë rënë shokët tanë, është flijuar komandanti legjendar bashkë me familjen e tij”, tha Nazmi Bellaqa – ish-luftëtar i UÇK-së.
“Ndjehem mirë, ata e kanë kryer atë që ishte e tyre, kanë dhënë jetën. Këto tri shkronja UÇK, janë tri shkronja të arta të cilat janë larë me gjak”, u shpreh Sami Skenderi – djali i dëshmorit, Mustafa Skënderi.
Për ta nderuar sakrificën e të rënëve për liri, homazhe bënë edhe shoqatat e dala nga lufta dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, si dhe Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.
“Këtu jam me një pjesë të stafit tim dhe me asamblistët, ndërsa pjesën tjetër i kemi ndarë në të gjithë territorin e komunës për të vendosur lule të freskëta në vendvarrimet e dëshmorëve dhe heronjve, për të cilët ne sot përkulemi me respekt”, tha Ramiz Lladrovci – kryetar i Drenasit.
“Ndjenjat janë të përziera, sepse shumicën prej tyre i kemi njohur fizikisht, kemi bashkëvepruar dhe kemi kujtime të shumta, por mbi të gjitha, krahas kësaj, krenaria për të gjithë atë që kanë bërë për vendin dhe atdheun i mbulon të gjitha”, deklaroi Xhavit Jashari – kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.
Një ditë më parë, në këtë kompleks, homazhe u bënë edhe nga komuna e Skënderajt, ku u vlerësua lart lufta dhe sakrifica e komandantit legjendar, Adem Jashari, e familjes së tij dhe e të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.
