Numërimi i votave drejt fundit
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se po përmbyllet procesi i numërimit të mbi 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe ai për persona me nevoja të veçanta.
Ai sqaroi se pas përfundimit të procesit të numërimit, sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është i detyruar të presë së paku 48 orë para shpalljes së rezultateve përfundimtare.
“Ky nen parasheh që subjektet politike, kandidatët dhe vëzhguesit mund të paraqesin ankesat e tyre në PZAP, 48 orë pasi të përfundojë administrimi i numërimit në qendrën e numërimit dhe rezultatet lidhur me pretendimet e tyre për ndonjë shkelje eventuale gjatë procesit të numërimit”, tha Elezi.
Ai theksoi se afati për paraqitjen e ankesave në PZAP llogaritet nga dita e sotme, 5 mars 2025, dhe nga ora e saktë e përfundimit të numërimit.
Rinumërim i fletëvotimeve në Vushtrri
Lidhur me një çështje tjetër, Elezi ka njoftuar se KQZ do të rinumërojë fletëvotimet e një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“Më shumë detaje për këtë çështje, mund t’iu japin në Prokurorinë e Shtetit”, ka theksuar ai.
Rinumërimi do të bëhet gjatë ditës së enjte, në kohën kur KQZ duhet të presë kalimin e afatit për ankesë në PZAP.
