Bytyçi: Rezultati i zgjedhjeve paralajmërim për qeverinë – pakënaqësia qytetare po rritet

Analisti Seb Bytyçi ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit duke e cilësuar atë si një paralajmërim serioz për qeverinë aktuale. Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli fituese me 41% të votave, ajo pësoi një rënie prej 9% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, një sinjal i qartë i pakënaqësisë së qytetarëve me qeverisjen.

Sipas Bytyçit, dalja e ulët në zgjedhje dhe sondazhet e opinionit publik tregojnë zhgënjimin qytetar për shkak të dështimit të qeverisë në trajtimin e shqetësimeve kryesore. Një ndër problemet kryesore, sipas tij, është mungesa e fokusit në prioritetet jetike si reformat ekonomike dhe shërbimet publike.

“Një problem i të gjitha qeverive në Kosovë është pamundësia për t’u fokusuar në më shumë se një prioritet të madh. Kosova ka nevojë për një shtet zhvillimor dhe forcim të shërbimeve publike, jo vetëm për dialogun me Serbinë,” ka deklaruar Bytyçi.

Një tjetër arsye që shpjegon rënien e përkrahjes, sipas sondazhit të realizuar nga KTV në ditën e zgjedhjeve, është rritja e çmimeve, ku 46.7% e të anketuarve kanë kërkuar ndërhyrje për kontrollin e tyre. Qeveria, ndonëse kishte premtuar heqjen e TVSH-së për produktet bazike, nuk e ka realizuar këtë premtim duke rënduar më tej situatën ekonomike të familjeve.

Po ashtu, një tjetër mangësi e theksuar mbetet dështimi për të zbatuar mësimin gjithëditor në shkolla, një reformë e premtuar nga qeveria. Sipas sondazhit, 29% e qytetarëve e kanë cilësuar këtë si prioritet, ndërsa mungesa e përparimeve ka shkaktuar pakënaqësi tek prindërit dhe edukatorët.

Bytyçi ka theksuar se nëse qeveria nuk ndërmerr veprime të menjëhershme për të adresuar këto shqetësime, opozita do të përfitojë nga pakënaqësia qytetare duke rrezikuar ndryshimin e lidershipit në të ardhmen.

“Politikëbërësit duhet t’u japin përparësi zgjidhjeve reale dhe të prekshme, e jo vetëm retorikës politike,” ka përfunduar Bytyçi. /Kosova.info/


Go to TOP