Abdixhiku i del në mbrojtje Hysen Çekajt: Kokën lartë, misioni yt është fisnik!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka dalë në mbrojtje kandidatit të kësaj partie, Hysen Sali Çekaj, pas akuzave dhe sulmeve publike ndaj tij.

Abdixhiku ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke thënë se Çekaj po sulmohet padrejtësisht vetëm pse ka fituar përkrahjen e mërgatës, nga ku edhe vjen.

“Mllef e plot vrer për një djalë të ri nga mërgata, sepse merr vota nga vet mërgata. Nga vendi ku ka kaluar gjithë jetën e tij – me barrën e babës hero mbi supe – dhe me ëndrrën e madhe se një ditë do të kthehet në vendlindje në shërbim!”, shkruan Abdixhiku.

Ai e cilësoi Çekajn si një njeri të urtë dhe të jashtëzakonshëm duke thënë se misioni i tij është të çrrënjosë popullizmin dhe urrejtjen që po mban peng shoqërinë.

“Kokën lartë Hysen! Ky mision është fisnik për të gjithë ne!”, përfundoi Abdixhiku.

Reagimi i liderit të LDK-së ka marrë mbështetje të gjerë nga simpatizantët e partisë dhe qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP