Cakolli: Shpërndarja e mandateve tashmë e qartë, votat me kusht nuk pritet të ndryshojnë rezultatin

Pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave nga vendvotimet e rregullta, si dhe atyre nga diaspora përmes postës apo misioneve diplomatike, shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës duket se është përfundimtare.

Kështu ka deklaruar Eugen Cakolli nga KDI, i cili theksoi se votat me kusht nuk pritet të ndryshojnë rezultatin e përgjithshëm, përveçse në një rast të pazakontë.

“Sipas përllogaritjeve, ndarja e mandateve është: LVV – 48 mandate, PDK – 24 mandate, LDK – 20 mandate dhe AAK – 8 mandate. Votat me kusht tradicionalisht kanë ndjekur të njëjtin trend si votat e rregullta, me një rritje të lehtë për partinë e parë,” ka thënë Cakolli.

Ai shtoi se e vetmja mundësi për ndryshim është nëse LDK arrin të sigurojë mbi 20% të votave me kusht, çka mund t’i sjellë një mandat shtesë duke ia marrë atë PDK-së, por një skenar i tillë konsiderohet i pamundur për shkak të trendëve të deritanishme.

Në këtë formë, rezultati aktual pritet të mbetet i pandryshuar, duke vulosur kështu përfundimisht shpërndarjen e mandateve të zgjedhjeve të fundit. /Kosova.info/


Go to TOP