CorrWatch shpreh shqetësimin për mungesën e Kryeshefëve Ekzekutivë me mandat të plotë në KEK dhe Trepça
Iniciativa CorrWatch, e përbërë nga organizatat GLPS, Instituti GAP dhe INDEP, ka shprehur shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit në ndërmarrjet publike KEK dhe Trepça, të cilat po funksionojnë me ushtrues detyre në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv.
Në një reagim publik, CorrWatch ka vlerësuar se ndryshimet e shpeshta në këtë pozitë rrezikojnë funksionimin e ndërmarrjeve strategjike dhe ndikojnë negativisht në performancën ekonomike të vendit.
“Sipas Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative të Ndërmarrjeve Publike, Kryeshefi Ekzekutiv është pozita më e rëndësishme në ndërmarrje, e cila duhet të sigurojë realizimin e planeve të biznesit dhe objektivave strategjike. Ushtrimi i detyrës pa mandat të plotë ndikon drejtpërdrejt në mungesën e stabilitetit dhe transparencës në menaxhimin e ndërmarrjeve,” thuhet në reagim.
CorrWatch ka bërë thirrje për përzgjedhjen e Kryeshefëve Ekzekutivë me mandat të plotë në KEK dhe Trepça, duke kërkuar që ky proces të jetë transparent dhe në përputhje me ligjin për ndërmarrjet publike.
Sipas kësaj iniciative, praktika e vazhdueshme e emërimit të ushtruesve të detyrës minon qeverisjen korporative dhe rrezikon stabilitetin ekonomik të vendit në sektorë kritikë si energjia dhe mineralet. /Kosova.info/
