Muharremi: Kurti dëmtoi veten me fushatë përçarëse, LVV s’ka qartësi për qeverinë e re
Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duke theksuar se retorika përjashtuese ka shkaktuar paqartësi në formimin e qeverisë së re.
Sipas tij, ndonëse LVV doli fituese me 41% të votave, qëndrimet e saj kontradiktore dhe polarizuese e kanë bërë të vështirë krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm. Muharremi e krahasoi këtë me kulturën politike në Gjermani, ku CDU-ja fitoi 29% dhe procesi qeverisës u qartësua menjëherë.
Ai veçoi momentin kur Kurti përdori terma përçmues ndaj rivalëve politikë natën e 9 shkurtit në sheshin Skënderbeu, duke e cilësuar atë si pikën më të ulët të fushatës dhe një dëm të madh për kredibilitetin e tij.
“Pozicionet ‘o krejt, o asgjë’ e bëjnë politikën si lojë fati, ku rrezikon një fitore të lartë vetëm sepse kërkon më shumë. LVV duhet të mësojë nga kultura politike dhe të respektojë rivalët, sepse në politikë nuk ecën dot vetëm,” përfundoi ai. /Kosova.info/
