Murtezaj: Duhet ta kultivojmë përsëri kopshtin tonë të vlerave rugoviane

Valon Murtezaj, profesor universitar dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ka bërë një thirrje për rigjallërimin e frymës rugoviane brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përmes një mesazhi të fuqishëm, ai ka theksuar nevojën për rikthimin e vlerave themeltare të lirisë, demokracisë dhe humanizmit që LDK-ja ka përfaqësuar historikisht.

“Kopshti i LDK-së është i luleve rugoviane të lirisë dhe demokracisë. Kopsht i përbashkët i vlerave humaniste dhe evropiane,” ka deklaruar Murtezaj duke bërë thirrje për një angazhim më të madh kolektiv, ku vendimet të merren me përgjegjësi dhe frymë demokratike.

Ai ka theksuar se demokracia duhet të kultivohet me metoda demokratike, pa autokraci, oligarki apo despotizëm. Murtezaj gjithashtu ka kritikuar arrogancën, egoizmin dhe korrupsionin duke theksuar se vetëm përmes një angazhimi të përbashkët dhe me më shumë solidaritet mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për LDK-në dhe Kosovën.

“LDK Rugoviane, Hyjneshë Dardane, këtu jemi dhe do të kujdesemi për kopshtin tonë,” ka përfunduar ai duke bërë thirrje për një rikthim tek idealet që e kanë ndërtuar këtë parti. /Kosova.info/


Go to TOP