Një patriot i heshtur në Gërmi: vullnetari që pastron për një Kosovë më të pastër
Donat Syla, një entuziast i vrapimit malor dhe anëtar i klubit X-Trailers, ka ndarë një përvojë të veçantë gjatë një vrapimi në shtegun e Gërmisë. Teksa ndodhej në mes të natyrës, ai hasi një person të panjohur, i cili me qese në dorë dhe një instrument për kapjen e mbeturinave po pastronte shtigjet nga mbeturinat e hedhura nga qytetarë të pandërgjegjshëm.
“Në çdo hap që bënte, ai kapte letra, shishe dhe mbeturina të vogla duke e bërë vendin tonë të duket më normal. M’u dhimbs që nuk e ndalova për ta falënderuar për punën e tij patriotike,” shkroi Syla në një postim publik.
Ai thekson se ky person nuk dukej të ishte punonjës i ndonjë kompanie të mirëmbajtjes, por një qytetar i ndërgjegjshëm që kujdeset për natyrën. “Soji i tij është patrioti më i madh i shtetit tonë, të cilit aspak nuk po ia dimë vlerën,” shtoi ai.
Ky gjest i heshtur, por i fuqishëm, shërben si një kujtesë për rëndësinë e përgjegjësisë qytetare dhe dashurisë për ambientin. Iniciativa të tilla personale tregojnë se ndryshimi fillon nga secili prej nesh. /Kosova.info/
