Kraki: Politika e jashtme amerikane ndikon në fatet e Kosovës, nuk është e pandryshueshme
Profesori dhe kandidati për deputet nga Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka reaguar ndaj pretendimeve se politika e jashtme amerikane mbetet e pandryshueshme, pavarësisht se kush zgjidhet në Uashington apo cili diplomat vjen në Kosovë.
Ai e cilësoi këtë mendim si të pasaktë dhe absurd duke theksuar se ndryshimet në politikën ndërkombëtare kanë ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë. Kraki kujtoi se kur ai kishte paralajmëruar për ndryshime të tilla, ishte përballur me kritika nga analistë që, sipas tij, nuk kanë kuptuar zhvillimet globale.
“Sidoqoftë, jemi me fat që ata që kurrë s’e kanë kuptuar Amerikën nuk do të jenë në krye të Kosovës edhe për katër vite të tjera,” tha ai duke theksuar rëndësinë e një Kosove sovrane dhe të fuqishme.
Ai shtoi se ndryshimet gjeopolitike duhet të ndikojnë pozitivisht në të ardhmen e Kosovës dhe se për këtë nevojitet bashkim në vizionin për një shtet të fortë e të pacenueshëm.
“Amerikës i duhet një Kosovë e fortë dhe sovrane. Kosovës i duhet Amerika superfuqi. Opsione tjera s’ka,” përfundoi Kraki. /Kosova.info/
