“Pastrimi” akuzon Komunën e Prishtinës për bllokim të qëllimshëm dhe favorizim të privatizimit
Ndërmarrja publike “Pastrimi” ka lëshuar një deklaratë të ashpër ndaj Komunës së Prishtinës, duke e akuzuar atë për bllokim të qëllimshëm të shërbimeve të pastrimit dhe favorizim të një kompanie private. Sipas kompanisë, dy kamionë të rinj për mbledhjen e mbeturinave nuk janë vënë në funksion nga komuna, me dyshimet se ata do t’i kalohen një operatori privat në të ardhmen.
“Pastrimi” e konsideron këtë si një keqpërdorim flagrant të pushtetit dhe një përpjekje për të eliminuar ndërmarrjen publike, duke rrezikuar vendet e punës të mbi 900 punëtorëve.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar më herët se do të marrë :masa të ashpra: ndaj “Pastrimit” për, siç ai e quan, :sabotim të qëllimshëm: dhe :dështim të pafalshëm: në menaxhimin e mbeturinave. Por “Pastrimi” e cilëson këtë si manipulim të opinionit publik dhe përpjekje për të krijuar një krizë artificiale.
Sipas kompanisë, pretendimet për dëmtimin e gjashtë kamionëve janë të pavërteta, pasi testimet kanë treguar probleme teknike që nga blerja e tyre, për të cilat komuna është informuar zyrtarisht. Gjithashtu, “Pastrimi” thekson se shpërndarja e kontejnerëve nisi vetëm pasi gazetarët e ngritën çështjen në konferencë për media.
Ndërkohë, “Pastrimi” u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo problem me mbledhjen e mbeturinave, duke theksuar se pavarësisht pengesave, do të vazhdojë të punojë për një Prishtinë më të pastër. /Kosova.info/
