Shtuni: Marrëdhëniet me SHBA-në janë jetike
Politologu Adrian Shtuni thotë se deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se marrëdhëniet me SHBA-në janë në nivelin më të mirë të mundshëm, janë një “shkëputje nga realiteti”.
Kushdo që ta formojë Qeverinë e Kosovës, sipas tij, do të duhet t’i trajtojë me seriozitet të jashtëzakonshëm këto marrëdhënie.
Ato janë jetike për Kosovën dhe popullin e saj, thotë Shtuni.
“Nëse vazhdohet me dredhi dhe premtime të pambajtura, kam përshtypjen se do të ketë probleme në këto marrëdhënie. Kushdo që ta bëjë Qeverinë e re, duhet të jetë i qartë për realitetin. Nëse nuk ka qartësi, do të ketë kosto të lartë”, thotë Shtuni për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, angazhimi i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Kosovë do të varet edhe nga mënyra se si do të sillet Qeveria e Kosovës.
“Unë shpresoj të ketë më shumë angazhim nga SHBA-ja për të arritur një formulë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, por, siç e thashë, kjo varet edhe nga impenjimi i Qeverisë së Kosovës”, thekson Shtuni.
