Haradinaj nga Prizreni premton angazhim në mbrojtje të familjes

Kandidati për kryeministër nga koalicioni “Për Kosovën fituese”, Ramush Haradinaj, bashkë me partnerë të koalicionit në Prizren zhvilluan tubim me qytetarët. Haradinaj e quajti Prizrenin thesar të Kosovës. Haradinaj tha se në programin e tyre i kanë 10 faqe që i dedikohen familjes.

“Në programin tonë 10 faqe janë për familjen. Ky program është punuar prej një viti e është botuar para 6 muajsh. Nuk është asgjë rastësi angazhimi ynë në mbrojtje të familjes. Këtë nuk e bëjmë për hatër të dikujt as për hatër të votës”, tha ai.

Lideri i AAK-së që është kandidat për kryeministër tha se duhet të përmbyllet çështja e sigurisë duke u anëtarësuar direkt në NATO.

“Nuk ka dikush që mund ta lidhë Kosovën jo vec me Amerikë e NATO. Nëse doni të kryni këtë punë që ka rëndësi, për ekonomi, financa, të thithim fonde, investime e të bëjmë zhvillim, mos harroni është 137”, tha Haradinaj.

Ai foli edhe për investime në energji.

“Do të uli çmimin e energjisë gradualisht, por brenda në dy vite e gjysmë çmimi i faturave ulet për 20 për qind. 450 megavat ndërtohen shpejt me gazsjellës në rrethinë të Ferizajt. Është vendi të lidhet centrali i ri me gaz”, tha ai.

Ndërkaq, partneri i koalicionit, lideri i NIsmës, Fatmir Limaj, ka shprehur bindjen se me 9 shkurt prizrenasit do të rreshtohen rreth numrit, 137.

“Le të bëhemi bashkë me 9 shkurt në listën fituese e përbashkuese. Në numrin 137 ka veç vepra. Pizreni e Kosova të rreshtohet rreth numrit 137 dhe koalicionit fitues”, theksoi Limaj.


Go to TOP