Greva njëditore si mosbindje qytetare në gjithë Serbinë
Në Serbi sot u mbajt një grevë e përgjithshme me iniciativën e studentëve në bllokadë. Përveç universiteteve në të gjithë vendin dhe një pjese të shkollave fillore e të mesme, greva përfshiu kompani, institucione kulturore, restorante, biznese të vogla dhe organizata.
Protestat e sotme u cilësuan si më të mëdhatë deri më tani.
“Sot nuk punojmë!” Ky ishte mesazhi që mund të shihej në shumë lokale në Beograd dhe në mbarë Serbinë si përgjigje ndaj thirrjes për grevë njëditore. Mosbindja qytetare u thirr nga studentët në bllokadë dhe bashkoi grupe të ndryshme shoqërore. Në grevë morën pjesë punëtorët e kulturës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sindikalistët nga ndërmarrje shtetërore dhe administrata lokale.
Edhe mediat e pavarura iu bashkuan grevës, duke raportuar vetëm për këtë temë dhe për protestat që po zhvillohen në qytete të ndryshme të Serbisë. Mijëra qytetarë dolën në rrugë, nxënës me prindërit dhe mësuesit, studentë, aktivistë dhe qytetarë të zakonshëm. Përpara Presidencës së Serbisë, Oda e Avokatëve mbajti një protestë.
Protestuesit kërkojnë: përgjegjësinë për tragjedinë në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, respektimin e ligjit, institucione funksionale dhe ndryshime demokratike. Studentët e konsiderojnë këtë grevë si një mjet presioni ndaj qeverisë.
“Vetë fakti që ndërpresim punën dhe nuk marrim pjesë në aktivitetet e përditshme është një akt politik. Kjo është një betejë e përbashkët për ndryshime,” tha një student i Fakultetit Filozofik në Beograd.
“Kjo grevë na kujton se populli është shteti dhe duhet të ketë fjalën vendimtare. Thirrja për solidaritet dhe bashkim është jetike,” tha një studente nga Beogradi.
Greva përfshiu edhe mësuesit, të cilët kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira pune në shkolla. Punonjësit e kulturës, të pakënaqur prej kohësh me buxhetet e ulëta për artin dhe kulturën, u bashkuan gjithashtu. Bizneset, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, kërkojnë një mjedis më të favorshëm për zhvillim.
Profesoresha e Gjimnazit të Zemunit, Sanja Shtrbac, theksoi rëndësinë e protestës . ”Ne luftojmë për vlera dhe për funksionimin e sistemit. Kur institucionet nuk reagojnë, mosbindja qytetare është mënyra e vetme.”
Sindikatat dhe partitë politike e cilësuan grevën si një kryengritje të përgjithshme të shoqërisë për ndryshime. Deputeti i Kuvendit të Vojvodinës, Radivoje Jovoviq, u shpreh: “Për herë të parë po shohim një mobilizim të tillë të qytetarëve. Kjo është një pikë kthese historike. Regjimi është tronditur seriozisht, ndërsa qytetarët kanë ngritur kokën.”
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cilësoi protestat si të motivuara politikisht dhe si përpjekje për destabilizimin e vendit. Në të njëjtën kohë, Partia Progresive Serbe organizoi një kundër-miting në Jagodinë në mbështetje të Vuçiqit.
Studentët kanë paralajmëruar protesta dhe bllokada të reja në ditët në vijim, duke theksuar se nuk do të ndalen derisa kërkesat e tyre të përmbushen. /RTK/

