Limaj: Fushë Kosova duhet të jetë qendër ekonomike, edukative e urbane
Koalicioni “Për Kosovën Fituese” në vazhdën e aktiviteteve parazgjedhore ka zhvilluar tubim në Fushë Kosovë. Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që është pjesë e koalicionit, tha se Fushë Kosova duhet të jetë qendër ekonomike, edukative e urbane e Kosovës.
“Fushë Kosova ka bashkuar shqiptarët anë e kënd trojeve. Andaj, sot i themi një qendër bashkimi kulturor, ekonomik e i fuqisë së shqiptarëve kudo që jetojnë,” tha ai.
Kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj, tha se Fushë Kosova është kthyer në epiqendër të shqiptarëve, ku sipas tij mijëra shqiptarë të Luginës e kanë gjetur konakun e dytë.
Haradinaj tha se sot patriotizëm është të zhvillohet Kosova, të bëhet shtet i barabartë me shtete të zhvilluara e të jetë anëtare e NATO-s.

Ndërkaq, dy kandidatet për deputete nga kjo komunë, Vildane Latifaj dhe Venera Bogujvci, premtuan se në Kuvendin e Kosovës do të jenë zëri i qytetarëve, për t’i zgjidhur problemet që ka komuna e tyre.
