Abdixhiku: Prishtina mbështet rrugëtimin tonë mbarëkombëtar, 124 është ndryshimi

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim të veçantë me degën e dytë të Prishtinës në sallën e shkollës “Gjergj Fishta,” ku ka shprehur entuziazmin për mbështetjen masive dhe për ndryshimin që partia e tij po promovon.

“Pas gjashtë vitesh u ktheva në këtë shkollë, por këtë herë ishte më ndryshe. Gjashtë vite më parë ishim mbledhur në korridor; tani u mblodhëm në sallë, e korridori dhe oborri ishin plot. Një degë e Prishtinës me kaq shumë zjarr! E paparë!” deklaroi Abdixhiku.

Ai theksoi lidhjen e tij personale me shkollën “Gjergj Fishta,” ku ka përfunduar shkollimin fillor, duke kujtuar edhe bashkëkohësit e tij që ndanin të njëjtën histori.

Duke folur për projektet e ardhshme, Abdixhiku theksoi planin e tij për investime të mëdha në Kryeqytet. “124 është ndryshimi. Me 1.5 miliardë euro investime në Prishtinë, ky ndryshim do të prekë familjet, rininë, prindërit dhe nxënësit e Kryeqytetit,” shtoi ai, duke bërë thirrje për mbështetje për rrugëtimin e tij mbarëkombëtar.

Tubimi shënoi një moment të rëndësishëm për LDK-në në prag të zgjedhjeve të ardhshme duke reflektuar entuziazmin dhe energjinë e degëve të partisë në Prishtinë. /Kosova.info/


Go to TOP