Haradinaj takon senatorin Gary Peters: Fokus në marrëdhëniet strategjike me SHBA dhe anëtarësimin në NATO
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, zhvilloi një takim të ngrohtë dhe miqësor me senatorin amerikan Gary Peters, ku diskutuan për forcimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj theksoi rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën strategjike të SHBA-së duke përmendur nevojën e ngutshme për anëtarësimin e vendit në NATO sipas Planit Aksional për Antarësim.
“Gjatë këtij takimi, vlerësuam kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, veçanërisht të mërgatës shqiptare në Michigan, në forcimin e lidhjeve të qëndrueshme mes dy vendeve tona,” deklaroi Haradinaj.
Diskutimi i tij me senatorin Peters nënvizoi rolin kyç të partneritetit me SHBA-në në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, duke e pozicionuar atë si një aleat të besueshëm në rajon dhe përtej tij. /Kosova.info/
