Abdixhiku: Rronifer, shembull i patriotizmit modern dhe motor i zhvillimit ekonomik
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vizitoi sot kompaninë “Rronifer” në Gjakovë, një ndërmarrje që ka përqafuar teknologjinë e avancuar dhe inovacionin për të kontribuar në ekonominë e Kosovës. Abdixhiku shprehu vlerësimin e tij për këtë biznes duke e cilësuar si një shembull të qartë të shpirtit sipërmarrës të popullit tonë.
“Prodhon në Kosovë. Eksporton jashtë. Ulë deficitin tregtar. Punëson 200 punëtorë. Këta janë patriotët modern të vendit!” deklaroi Abdixhiku, duke theksuar se shteti duhet të jetë partner i sektorit privat, e jo armik i tij.
Ai theksoi rëndësinë e biznesit privat si motor kryesor i ekonomisë së vendit dhe premtoi se, nën një qeveri të udhëhequr nga LDK, partneriteti me bizneset si “Rronifer” do të jetë baza e zhvillimit ekonomik. “Me ta, do të krijojmë kushtet që bizneset të rriten, të investojnë dhe të kontribuojnë në mirëqenien e çdo qytetari,” shtoi Abdixhiku.
Duke përmbyllur vizitën, Abdixhiku theksoi angazhimin e tij për të sjellë ndryshimin që vendi meriton, duke bashkëpunuar me sektorin privat për një Kosovë më të fortë dhe të zhvilluar.
“Bashkë, do ta sjellim ndryshimin që vendi ynë e meriton! Bashkë do të ecim në Rrugën e Re! Bashkë do ta bëjmë Kosovën!” përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/
