Bajrami kritikon ashpër qeverisjen e Kurtit: mashtrime, propagandë dhe mospunë
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka adresuar kritika të forta ndaj Kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për dështime në qeverisje dhe për mosrealizimin e premtimeve të dhëna. Bajrami theksoi se në disa zona të Kosovës mungon energjia elektrike për ditë të tëra, ndërsa projektet e mëdha të premtuara, si ndërtimi i 160 çerdheve dhe reformat në arsim e shëndetësi, nuk janë realizuar.
“Albin Kurti është dorëzuar përballë Martin Berishajt, Nagip Krasniqit dhe Ridit. Ëndrra e tij është të bëhet Kryeprokuror për t’i shpëtuar ata dhe hajnat tjerë të pushtetit,” deklaroi Bajrami duke akuzuar se qeveria aktuale është e zhytur në propagandë dhe mashtrime, veçanërisht në sektorin ekonomik.
Ajo ironizoi me arritjet e qeverisë, duke përmendur si “sukses” ndërtimin e një ure tre metra të gjatë në Dukagjin dhe një tjetër në Badoc që ende nuk është përfunduar.
Sipas Bajramit, qytetarët duhet të presin deri më 9 shkurt për t’i dhënë fund kësaj qeverisjeje, duke iu referuar datës së zgjedhjeve të ardhshme.
Kritikat e saj vijnë në një kohë kur qeveria Kurti përballet me sfida të shumta në energji, arsim dhe ekonomi duke nxitur një debat të ashpër politik në prag të zgjedhjeve. /Kosova.info/
