Sondazhi kundërthënës i UBO-s!? Vetëvendosje duket se ndodhet ndërmjet 36 e 42%!

Shkruan: Idriz MORINA

Sondazhi i UBO konsulting, i publikuar pak ditë më parë, që dukej si sondazh me porosi nga Vetëvendosje apo me kërkesë të saj, duket si i pabesueshëm edhe në vetvete.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ka fituar 50.28%, dhe sipas sondazhit të UBO konsulting ka rënë në 47.1%, dallimi rezulton – 3.18%.

PDK-ja kishte 17.0% dhe është rritur sipas tij në 19.5%, dallimi + 2.5%.

LDK-ja, që kishte 12.7% është rritur në 17.7 për qind, dallimi + 5%.

AAK-ja kishte 7.12 dhe sipas këtij sondazhi ka ranë në 6.5%, dallimi – 0.6%.

Pra, dallimi total, që sondazhi nuk e shpjegon se si partitë u rritën dhe u tkurrën, është 3.7% i totalit. Nga 7.5 pikë në 100, rritje LDK e PDK; – 3.8 pikë (tkurrje VV e AAK); nga kjo 7.5-3.8 = 3.7 pikë. Pra, sondazhbërësi nuk e ka shpjeguar apo i mungon e dhëna e pakapërcyeshme e rrugëtimit të 3.7% të votuesve, apo këto ia ka shtuar në dorëlirës porositësit të sondazhit apo nëse i ka hedhur tek të papërcaktuarit!

Po ashtu sondazhit i mungon margjina e gabimit, që do të duhej të ishte 1.5 deri në max 2%, (ndoshta margjinën qëllimisht se ekspozoi publikuesi i saj VV-ja) për sondazhet serioze, sepse ka ndërruar saktësia e kërkuar e besueshmërisë së sondazheve të dikurshme prej +-3% gabueshmëri, pasi shkalla e gabimit ishte shumë e madhe, dhe ato përmbyseshin në ditën e votimit, p.sh. në zgjedhjet presidenciale amerikane, përfshirë edhe këto të fundit.

Po ashtu në T7 ju dha një vërejtje nga sondazhbërësit se rezultati ka mospërputhshmëri thelbësore, sepse i mungon, sipas asaj që ishte publikuar, 16% i shumës së të anketuarve, jo i shumës së përqindjeve partiake.

Ndërsa, aty në debat u përmenden se rezultatet e sondazheve të tjera tregojnë një përqindje prej 32 deri në 38% për VV-në.

Skenari i parë

Unë jam i prirur, sikurse në shumicën e rasteve të sondazheve për zgjedhjet në të kaluarën, të llogarisë, ashtu siç udhëzon pjesërisht edhe statistika, por që nuk do të thotë se është mënyra e saktë e llogaritjes, por që padyshim të largon nga gabimet ekstreme, sepse edhe ashtu bëhet fjalë për procedura të sondazheve jo standarde, atëherë mund të llogarisim një mesatare më të besueshme, të dy sondazheve ekstreme për VV-në, 32% dhe 47%. Këto dy rezultate prodhojnë një rezultat total prej 79%, që mesatarja i bie në 39,5%, (me një margjinë të supozuar 2 -3%, varësisht se çfarë margjine kanë përcaktuar sondazhbërësit). Kjo nënkupton se aktualisht VV-ja ndodhet ndërmjet 36,5-37.5% kufiri i poshtëm dhe i sipërm 41.5 deri në 42.5%.

Këto të dhëna të filtruara pjesërisht, sidomos sipas të dhënave të vetë sondazhit të UBO-s, që realisht nuk e shpjegon rritjen prej 5% të LDK-së e 2.5% të PDK-së, krijojnë një pasqyrë më reale të opinionit.

Pra, në rastin më të mirë, VV aktualisht është ndërmjet 41 e 42%, dhe në rastin jo më të mirë, në 36-37%. Pra, rënia e Vetëvendosjes në përqindje, sipas matjeve duket se është në rreth 10 pikë, pra nga 50 në 40%.

Skenari i dytë

Konstatimi i mësipërm bëhet më i besueshëm, pasi sipas shumicës së matjeve dhe informacioneve, LDK-ja prej më se tre muajsh rezulton me rreth 20- 25% nga matjet e bëra, dhe është më se e qartë se është plotësisht e besueshme, se ajo së paku nga përqindja e përgjithshme është rreth 10 pikë më shumë se sa në zgjedhjet e fundit, pra del në sondazhe me një mesatare mbi 22%.

Dhe nëse merret e besueshme e dhëna e sondazhit të UBO-s, rezultati për PDK-në, dhe është krejtësisht logjike dhe e kuptueshme, se edhe ajo si parti opozitare dhe me një fushatë të vazhdueshme për kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, të ketë së paku 2.5 pikë rritje deri në , atëherë rezulton se vetëm nga këto dy parti është shënuar një rritje minimalisht për 10 pikë, e j0 7.5 (sipas UBO-s), atëherë rritja maksimale shkon deri në rreth 15 pikë nga 100 të totalit. Ndërsa, sipas sondazheve të tjera PDK ka rritje së paku 3%, dhe që shkon deri në 5 e 8%.

Por, edhe AAK-ja besohet se ka rritje të paktën për 2 pikë, pasi në zgjedhjet kur LDK-ja e shënoi rekordin e zi, kjo u mbajt dhe ishte në 6.9%. Rritja është e besueshme pasi garon së bashku me NISM-ën, e cila kishte 2.5% në zgjedhjet e fundit nacionale. Po ashtu AAK-ja aktualisht ka hapur listën edhe për kundërshtarë politikë, si Haki Abazi, dhe për grupe të tjera aleate. Pra, rritja e këtyre partive të vogla dhe këtij koalicioni shkon në rreth 2.5-3 pikë aktualisht.

Pra, vetëm rritjet e pritshme dhe sipas sondazheve çojnë në një rritje të tri partive në opozitë përtej së paku 13 – 16.5 pikë. Dhe nëse sondazhi i UBO-s del i saktë se rreth 3.5 e totalit kanë shkuar kah të pavendosurit ose partitë e vogla në garë, atëherë nënkuptohet një rënie prej së paku 9.5 deri në 13,0 pikë e Vetëvendosjes. Sipas kësaj përllogaritje VV-ja nuk mund të ketë më shumë se 40.5% dhe mund të ketë rënë deri në 37%.

Të gjitha këto duhet të lexohen në kontekst të sondazheve, dhe se ato i referohen një rezultati të supozuar sikur zgjedhjet të mbaheshin tani.

Është e qartë se rezultatet aktuale dallojnë me ato të zgjedhjeve, pasi janë edhe 45 ditë fushatë, edhe pse zyrtarisht ende nuk ka filluar.

Disa shpjegime të tjera

Vazhdon të thuhet me mburrje se VV-ja, është e vetmja parti, që i ka fituar 51% të votave në një palë zgjedhje. Ky është një pseudomit, që disa herë e kam theksuar, dhe tashmë kanë filluar ta kujtojnë edhe gazetarë të tjerë, se Rugova me LDK-në, madje në zgjedhjet e para lokale të pasluftës, të mbajtura në vitin 2000 ka fituar 56% të votave, ndërsa Rugova i pat shpallur se kishte fituar së paku 65%. Ai proces zgjedhor ka qenë ndoshta më i manipuluari, ku mbështetës të PDK-së në vendnumërime, kanë hedhur vota pa i numëruar fare në llogari të kësaj partie, por pa ia dalur ta ndryshojnë rezultatin ndjeshëm.

Po ashtu është një gabim i vazhdueshëm se Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara i ka fituar 51% të votave. Kjo do të kishte kuptim, sikur përqindja të ishte të paktën 50.5%, por ajo ka fituar 50,28%, dhe përafrimi matematikor bëhet në 50.

Go to TOP