“Tik-Tok” çoroditi nxënësit, kësaj here tri filloriste në Gjakovë u vetë-lënduan si rezultat i “sfidave”
Një ngjarje e trishtë ka ndodhur këtyre ditëve në shkollat e Gjakovës. Një “sfidë” në rrjetin social “Tik Tok”, ka bërë që vetëm dje të identifikohen tri nxënëse me vetë-lëndime. Kjo është konfirmuar për Express nga drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Baci, teksa për rastet policia ka nisur tashmë hetimet për veprën penale “shtytje në vetëvrasje”.
Tri filloriste janë vetë-lënduar në Gjakovë, si rezultat i realizimit të një “sfide” në rrjetin social “Tik Tok”. Kjo gjë ka alarmuar Drejtorinë Komunale në Gjakovë, që tashmë veçse kanë nisur kontrollet në të gjitha shkollat e qytetit për të parë nëse ka më shumë raste të tilla.
Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Erandë Baçi ka thënë sot se e gjithë ngjarja është zbuluar pas njoftimit nga një prind të premten.
E vetëm gjatë kontrollit të djeshëm, Baçi tha se i kanë identifikuar tri nxënëse me lëndime të mëhershme.
“Pas një informate jo zyrtare (nga një prind) të premten në mbrëmje për vetëlëndim nga vajzat kemi lajmëruar drejtorët e shkollave që të hënën të fillojnë edhe kontrollet në shkolla bashkë me psikolog dhe me kujdestarët e klasave. Ne ndërkohë kemi lajmëruar edhe zyrtarët policor, dhe veç në kontrollet e djeshme ka rezultuar të identifikohen 3 nxënëse me vetëlëndime të mëhershme. Zyrtarët policor po merren me të gjitha procedurat dhe mjekët me ekzaminimin e kohës së plagëve të shkaktuara”, deklaroi ajo.
Baçi deklaroi se këtë “sfidë” në “Tik Tok”, e bëjnë zakonisht vajzat dhe se viktimat e lartëcekura janë nxënëse të shkollave të mesme të ulëta.
“Kjo ka të bëjë me një sfidë të rrjetit social “Tik Tok”, dhe zakonisht e bëjnë vajzat. Nxënëset janë të shkollave të mesme të ulta”, tha ajo.
Kontrollet janë duke vazhduar edhe sot në shkollat e Gjakovës, teksa nuk dihet nëse ka më shumë viktima të kësaj “sfide” të realizuar në rrjetin social famëkeq.
Drejtoresha ndërkohë njoftoi se kanë marrë edhe masa duke ndaluar rreptësishtë telefonat për nxënësit.
“Shkollat sot janë duke zhvilluar kontrolle në te gjitha klasat, dhe nga sot e tutje do të ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonave mobil nga nxënësit. Në rast se psikologët apo kujdestarët vërejnë shenja të dyshimta në duar të nxënësve atëherë do të lajmërohen menjëherë zyrtarët policor dhe do të vazhdojnë me procedurat hetimore”, tha ajo.
Për këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Në raportin 24 orësh, nga policia thanë se kanë nisur hetimet për rastin që e cilësuan si “shtytje në vetëvrasje”.
“Gjakovë 07.10.2024 – 10:30. Drejtoresha e DKA-së ka njoftuar se tri nxënëse janë viktima të fenomenit të vet–lëndimit. Tri viktimat femra kosovare të mitura, janë dërguar në tretman mjekësor. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
E ky nuk është rasti I parë ku fëmijët janë lënduar si pasojë e sfidave të realizuara në “Tik Tok”.
Ishte 31 maji i këtij viti kur Policia e Kosovës njoftoi se në një shkollë të Lipjanit disa nxënës janë vetëlënduar (gërvishtur) si pasojë e një loje në rrjete sociale.
“Zyrtarët nga Stacioni Policor në Lipjan me datën 20.05.2024 janë njoftuar për një dukuri shqetësuese në një shkollë, ku disa nxënës dyshohet se janë vetëlënduar (gërvishtur) si pasojë e një loje në rrjete sociale. Menjëherë zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorinë dhe Qendrën për Punë Sociale”, pati konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Njëjtë pati ndodhur edhe në Fushë Kosovë.
Nga Drejtoria Komunale e Arsimit në këtë Komunë patën konfirmuar se deri më 1 qershor janë evidentuar 17 raste të lëndimeve të tilla.
