Hoti për mos ekzekutim pagash: Neglizhencë, më e pakta do të duhej sqarim

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e ka quajtur neglizhencë ndaj detyrave ligjore mos ekzekutimin e pagave për sektorin publik nga Ministria e Financave.

“Ministri i Financave edhe të dielën ishte shumë i angazhuar me inxhiniering të shifrave ekonomike për të portretizuar mesazhet politike, të cilat atij dhe ministrave të tjerë ua dikton partia. Por, nuk e kishte idenë se ditën tjetër nuk do të ekzekutoheshin pagat për rreth 85 mijë zyrtarë në sektorin publik. Kjo sjellje është neglizhencë ndaj detyrave ligjore që ka ministri i Financave”, ka shkruar ai në Facebook.

Hoti ka thënë se më pakta që do të duhej të bëhej ka qenë informimi paraprak dhe sqarimi për arsyet e situatës.

“Tendenca për të vendosur kontrollin mbi administratën shtetërore, duke lënë me ushtrues detyre pozitat kryesore po shkon në dëm të zyrtarëve shtetërorë dhe gjithë administratës”, ka shtuar deputeti i LDK-së. /Kosova.info/

Go to TOP