Çeku: Gazeta “NewBorn” është ndërtuar nga investimet familjare dhe nuk i ka shkaktuar dëm Kosovës
Fitim Çeku, themeluesi i Gazetës “NewBorn”, ka reaguar ndaj akuzave të mundshme mbi financimet e mediave në Kosovë.
“Pa dashur të ofendoj askënd, Gazeta “NewBorn” e themeluar në vitin 2015 ishte e vetmja media që merrte jo më shumë se 250 euro në muaj nga shteti i Kosovës, dhe atë për një periudhë të shkurtër kohore,” deklaroi ai, duke nënvizuar se shumica e investimeve në këtë media vinin nga të ardhurat e tij personale dhe të familjes së tij që jeton në Itali.
Çeku shpjegon se investimi më i madh, afër 170 mijë dollarë, ka ardhur nga Amerika, të fituara përmes klikimeve online, dhe se të gjitha taksat janë paguar në ShBA.
“Biznesi i ndërtuar për 8 vite me paratë e fituara me nder, si dhe tani shitja e aksioneve, është një investim anglez që sërish nuk dëmton asnjë interes publik apo buxhetin e Kosovës,” thekson ai, duke mbrojtur transparencën e veprimtarive të tij financiare.
Çeku gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me hetuesit për çdo hetim të ardhurash financiare, por theksoi se nuk pranon metodat kriminale që kanë prekur aktivitetin e tij.
“Unë jam një person shumë i pastër dhe kjo çfarë keni bërë ka me pas pasoja,” përfundon ai, duke ngritur shqetësime rreth mënyrës se si po trajtohet situata nga autoritetet përkatëse. /Kosova.info/
