Shahini: Ura e Ibrit ka humbur rëndësinë e saj strategjike
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka deklaruar se hapja e Urës së Ibrit, e cila ndan Mitrovicën në veri dhe jug, nuk ka më rëndësi strategjike për Kosovën. Ai theksoi se institucionet e Kosovës tashmë kanë kontroll të plotë mbi veriun e vendit, duke përfshirë stacionet policore, ndërtesat komunale, transaksionet e pagesave, postat dhe bankat. Për më tepër, valuta serbe, dinari, po humb praninë e saj, ndërsa simbolet shtetërore serbe po zhduken gradualisht.
“Bizneset kanë filluar investimet e tyre në veri, dhe situata po normalizohet,” u shpreh Shahini. “Për këtë arsye, hapja e Urës së Ibrit nuk do të ketë rëndësi strategjike për Kosovën, por do të jetë më tepër një akt simbolik.”
Shahini përfundoi duke theksuar se rëndësia strategjike e Kosovës qëndron në ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta me partnerët ndërkombëtarë, pa të cilët vendi nuk do të kishte arritur sukseset e tij deri në vitin 2024. /Kosova.info/
