“Urdhri për zhdëmtim të viktimave në rastin e Salih Mustafës mund të zbatohet menjëherë”
Gjykatësi i vetëm në çështjen gjyqësore ndaj Salih Mustafës është pajtuar me kërkesën e mbrojtjes së viktimave se urdhri për zhdëmtim mund të zbatohet menjëherë pasi që Mustafa nuk e ka apeluar dhe se ka vendim të formës së prerë në këtë çështje.
Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, përmes informimit javor. Ajo tha se vendimi ishte marrë me 25 mars ndërsa me 22 korrik ishte bërë publik versioni i redaktuar i tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në çështjen gjyqësore Salih Mustafa, më 22 korrik u publikua versioni i redaktuar publik i vendimit të Gjykatësit të vetëm i 25 marsit lidhur me kërkesën e mbrojtëses së viktimave për caktimin e datës për pagimin e zhdëmtimeve dhe çështje të tjera. Në këtë vendim, gjykatësi i vetëm u pajtua me mbrojtësen e viktimave se urdhri për zhdëmtim mund të zbatohet menjëherë duke qenë se z. Mustafa nuk e apeloi dhe se ka vendim të formës së prerë në këtë çështje gjyqësore”, tha Griep.
Zëdhënësja e DhSK-së, tha se gjykatësi e ka ftuar Mustafën që të bëjë pagesa vullnetarisht dhe se lëshoi urdhra lidhur me pasuritë e mundshme të Mustafës të cilat mund të përdorën për zbatim të pjesshëm të urdhrit për zhdëmtim.
“Gjykatësi i vetëm ftoi z. Mustafa të bënte pagesa vullnetarisht dhe urdhëroi Administratoren ta informonte atë për modalitetet përkatëse. Ai, gjithashtu lëshoi urdhra lidhur me pasuritë e mundshme të z. Mustafa që mund të përdoren për zbatimin e pjesshëm të Urdhrit për Zhdëmtim mbi bazën e pagesave proporcionale të viktimave. Gjykatësi i Vetëm udhëzoi Administratoren që, sapo të merreshin fondet, të konsultohej me Mbrojtësen e Viktimave për mënyrën më efikase për dorëzimin e fondeve të akorduara për secilën viktimë”, tha Griep.
Ajo tha se pavarësisht zbatimit të pjesshëm të urdhrit, Gjykatësi ka rikujtuar se Mustafa nuk lirohet nga detyrimi për ta shlyer plotësisht zhdëmtimin edhe pse tani nuk është në gjendje ta bëjë këtë.
“Gjykatësi i vetëm rikujtoi më tej se, pavarësisht zbatimit të pjesshëm të urdhrit për zhdëmtim, z. Mustafa nuk lirohet nga detyrimi për të shlyer plotësisht zhdëmtimin, pavarësisht se aktualisht nuk është në gjendje ta bëjë këtë. Për të siguruar pajtueshmëri të plotë me Urdhrin, gjykatësi i vetëm udhëzoi Administratoren të vlerësonte mjetet aktuale dhe të ardhshme të z. Mustafa, duke mbajtur parasysh edhe nevojat e familjes së tij”, tha Griep.
Rrjedhimisht, Griep theksoi se gjykatësi i vetëm ka potencuar se para dorëzimit të kërkesave të mundshme në programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit në Kosovë, duhet përcaktuar se në ç’masë mundet vetë Mustafa që ta zbatojë këtë obligim.
“Gjykatësi i vetëm gjithashtu theksoi se para dorëzimit të kërkesave të mundshme në programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit në Kosovë, duhet përcaktuar nëse, dhe deri në ç’masë, mund ta shlyejë vetë z. Mustafa Urdhrin për Zhdëmtim brenda një afati të arsyeshëm. Gjykatësi i vetëm theksoi se nuk ka afat për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim dhe se detyrimi i z. Mustafa lidhur me viktimat përfundon vetëm kur të jetë zbatuar plotësisht Urdhri për Zhdëmtim”, tha ajo.
Kurse në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Griep ka treguar se më 10 korrik është lëshuar vendim për pranimin e dy viktimave tjera në këtë proces gjyqësor. Sipas saj, këto dy viktima do t’i bashkohen grupit ekzistues prej 152 viktimash duke e quar numrin në 154 e të cilat do të përfaqësohen nga i njëjti avokat.
“Trupi Gjykues theksoi në këtë vendim se afati për dorëzimin e kërkesës për të marrë pjesë si viktimë në këtë çështje gjyqësore kishte përfunduar më 15 shkurt 2023. Sidoqoftë, Trupi Gjykues konstatoi se kishte arsye të vlefshme dhe i pranoi kërkesat, ndonëse ato u dorëzuan pas afatit. Kjo e çoi numrin e viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore në 154 gjithsej”, tha tutje Griep.
Ndërsa, sipas saj, më 18 korrik në po të njëjtën çështje gjyqësore është rrezuar kërkesa e ZPS-së për apelimin e një vendimi të mëparshëm të Trupit Gjykues i cili ka përjashtuar një provë të caktuar në lidhje me një dëshmitar pasi ishte konstatuar se kishte vlerë të kufizuar provuese dhe në thelb mund të ishte cenuese për Rexhep Selimin.
Griep tha se më 22 korrik është miratuar pjesërisht kërkesa e ZPS-së për pranimin e deklaratave me shkrim dhe provave materiale shoqëruese të tetë dëshmitarëve.
“Për dy dëshmitarët e tjerë, Trupi Gjykues vendosi se, krahas dorëzimit të deklaratave të tyre me shkrim, ata duhet të paraqiten edhe në gjykim. Trupi Gjykues konstatoi se disa prej informacioneve në deklaratat e këtyre dëshmitarëve nuk janë dhënë nga asnjë dëshmitar tjetër dhe në një prej deklaratave ka mospërputhje. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues vlerësoi se është e rëndësishme për mbrojtjen të ketë mundësi t’u bëjë pyetje këtyre dy dëshmitarëve”, tha Griep duke shtuar se seancat e ardhshme në këtë çështje gjyqësore janë caktuar për 19 gusht 2024 sipas orarit të zakonshëm.
Kurse, për çështjen ndaj Pjetër Shalës, Griep tha se kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova ka caktuar Panelin e Apelit për të vendosur lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Shalës për të zgjatur afatin për dorëzimin e njoftimit për apel.
“Paneli i Apelit përbëhet nga gjykatësit Mishelw Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, më 24 korrik, Paneli i Apelit vendosi se gjuha e punës në procedurën e apelit në këtë çështje gjyqësore do të jetë anglishtja dhe lëshoi një vendim lidhur me modalitetet e pjesëmarrjes së viktimave. Në bazë të këtij vendimi, Mbrojtësi i Viktimave do të vijojë të ketë qasje në dosjen e plotë të çështjes, do të njoftohet lidhur me të gjitha materialet provuese të nxjerra dhe të shpërndara, mund të vazhdojë të bëjë parashtrime me shkrim për sa kohë që ato lidhen me interesat e viktimave pjesëmarrëse si dhe do të vazhdojë të informojë viktimat për procesin”, tha Griep.
Griep foli edhe për çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës. Ajo tha se në këtë rast është rrezuar kërkesa e mbrojtjes së Shalës për mbajtjen e një konference mbi ecurinë e çështjes pasi ka konstatuar se pikat e ngritura ishin tema të zgjidhura tashmë.
“Ajo i rikujtoi mbrojtjes së Shalës se aspektet lidhur me Legal Workflow dhe ndihmën juridike duhet t’ia paraqesë Zyrës Administrative në të ardhmen, përpara se t’i drejtohet Trupit Gjykues, në mënyrë që problemet të zgjidhen shpejt dhe në mënyrë efikase Mbrojtja e Januzit kishte kërkuar zgjatje afati për dorëzimin e dosjes paraprake”, tha Griep.
Griep gjithashtu shtoi se gjykatësja e procedurës paraprake kishte zgjatur afate procedurale pasi mbrojtja e Bahtjarit dhe Januzit kishin dorëzuar mocione paraprake me pretendimet se ka gabime në Aktakuzën e ndryshuar.
“Gjykatësja e Procedurës Paraprake i zgjati afatet si më poshtë: Në rast se mbrojtja nuk apelon vendimin e Gjykatëses së Procedurës Paraprake lidhur me mocionet paraprake të mbrojtjes, dosjet përkatëse do të dorëzohen pesë ditë pasi të lëshojë vendim Gjykatësja e Procedurës Paraprake lidhur me mocionet në fjalë. Në rast se e apelojnë vendimin e saj, atëherë afati do të jetë pesë ditë pasi të lëshojë vendim Paneli i Gjykatës së Apelit. Gjykatësja e Procedurës Paraprake vendosi se data e re për kalimin e dosjes së çështjes te Trupi Gjykues do të jetë dy ditë pas dorëzimit të dosjeve paraprake të Mbrojtjes, nëse do të dorëzojnë të tilla, ose në përfundim të afatit përkues. Gjykatësja e Procedurës Paraprake urdhëroi Administratoren të riklasifikojë parashtrimet përkatëse lidhur me aspektet e diskutuara si publike, me përjashtim të shtojcës konfidenciale”, tha Griep.
Krejtësisht në fund, Griep njoftoi se pushimi i DhSK-së fillon më 29 korrik dhe do të zgjasë deri më 16 gusht 2024 e që gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë seanca por edhe shërbimet jothelbësore do të reduktohen dukshëm.
“Sidoqoftë, Gjykata do të jetë tërësisht funksionale dhe puna do të vijojë në të gjitha njësitë e Dhomave të Specializuara. Gjatë pushimit mund të dorëzohen parashtrime dhe, përveç nëse urdhërohet ndryshe nga gjykatësit, afatet gjyqësore mbeten të pandryshueshme”, tha Griep duke shtuar se nuk do të ketë as informim javorë deri me 22 gusht 2024.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
