Vrasja e Marigona Osmanit, me 29 korrik shpallet aktgjykimit ndaj Krivaqes
Gjykata Themelore Ferizaj njofton se të hënën më 29 korrik 2024, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit Dardan Krivaqa, i akuzuar veprën penale `dhunim` dhe veprën penale në bashkëkryerje `vrasja e rëndë`, si dhe të pandehurit Arbër Sejdiu, i akuzuar për shkak të veprave penale në `bashkëkryerje vrasja e rëndë` dhe veprën penale `ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit`.
Seanca e shpalljes së aktgjykimit është e hapur për publikun.
Ndërsa sot në fjalën përfundimtare në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaqa tha se tani e ndjera Marigona Osmani ishte personi që e ka dashur dhe se vrasja e saj nuk ka qenë e qëllimshme.
“E mbështes deklaratën e avokatit tim, me vjen keq, nuk e kom bërë me qellim, nuk ka qenë e qëllimshme, kam menduar të krijoj familje me të, më vjen keq”, ka thënë Krivaça.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Kurse Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje, ndërsa ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.
Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit, Dardan Krivaqa.
