Abdixhiku: LDK-ja sot po kalon momente të mira uniteti – në këtë rrugëtim ka cinikë por marrja me ta është humbje kohe
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë mbledhjes së parë Këshillit të Përgjithshëm, ka thënë se partia të cilën ai e udhëheq, sot po kalon momente të mira uniteti e konsulidimi strukturor dhe të prezantimit publik.
Abdixhiku tha se këto momente të mira për LDK-në po vijnë pasi kanë punuar fort për to dhe kanë punuar pa ndalur asnjëherë.
“Kemi punuar në momente të vështira kur pakkush ka besuar në ringritjen tonë të shpejt. Kemi punuar në momente të rënda kur shumëkush nuk ka dashur konsuldimin tonë kaq të shpejtë”.
“Për këtë dua të jeni krenarë të gjithë sepse do të mbaheni mend si gjeneratë politike që bëni këtë rikthim dhe këtë konsulidim dhe këtë të arrirë nuk ka kush që e merr nga ju tashmë”, tha Abdixhiku.
Më tej, kreu i LDK-së tha se gjatë rrugëtimit, do të ketë edhe cinikë që përçmojnë punën e tyre dhe ankues që s’mjaftohen kurrë, por që sipas tij, vetë s’bëjnë asgjë.
“Ajo çfarë kam kuptuar në gjithë këtë kohë është se marrja me ta është vetëm humbje kohe dhe ne kohë për të humbur s’kemi më”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së foli edhe për draft-statutin e Asociacionit, për të cilin tha se paraqet autonomi, me rrugëtim potencial për federalizim.
