Policia nuk tregon numrin e viktimave nga të shtënat në kampusin e Las Vegasit
Një numër viktimash në të shtënat në Universitetin e Nevadës janë transportuar në spitalet lokale, tha të mërkurën sherifi i policisë Metropolitane të Las Vegasit, Kevin McMahill në një konferencë shtypi.
Motivi i sulmuesit në incident është i paqartë, tha ai.
McMahill nuk tha se sa viktima ishin, e as nuk dha informacion mbi gjendjen e tyre.
“Unë nuk dua t’ju jap informacione të rreme dhe t’ju them sa viktima kemi, por ne do ta ofrojmë atë përditësim shumë, shumë shpejt”, tha ai.
Sherifi shtoi se nuk ka asnjë kërcënim të mëtejshëm për ata në kampus dhe tha se një hetim është në vazhdim.
“Kjo është ende një skenë shumë aktive dhe dinamike”, tha McMahill. “Pra, nëse mund të shmangni zonën, ne do ta vlerësonim”.
Më herët, policia tha se sulmuesi “është lokalizuar dhe ka vdekur”.
