Ligji i ri për pensione huton pensionistët

Pas 23 vitesh, mijëra pensionistë ia panë hairin Gjykatës Kushtetuese e cila i detyroi qeverinë dhe parlamentin që të ndryshojnë Ligjin për Skemat Pensionale, duke e hequr kushtin që të dëshmojnë se kanë kontribuar 15 vjet e më shumë në ish-Fondin Pensional të Kosovës.

Me ligjin e ri, i cili u miratua në Kuvend më 27 korrik të 2023-ës, përfshihen qytetarët të cilët janë larguar dhunshëm nga puna dhe nuk kanë arritur të mbushin 15 vjet përvojë pune.

Mirëpo për të përfituar nga kjo e drejtë, aplikacionet e pensionistëve do të kalojnë në filtrat e një komisioni të Ministrisë së Financave.

I gjithë ky proces, deri në ekzekutimin e pensioneve, ka krijuar huti dhe konfuzitet te pensionistët, të cilët nuk ditën t’i gëzohen njohjes së kësaj të drejtë të mohuar për kaq gjatë.

Hilmi Rramanin, tash e 7 vjet merr 100 euro pension, ani pse ka rreth 40 vjet përvojë pune në Postën e Kosovës. Ai duhet të presë edhe disa muaj, të kuptojë nëse do i realizohet ose jo kjo e drejtë.

Po të mos e kishte mbështetjen financiare të fëmijëve të tij, Rrahmani thotë se do te detyrohej të kërkonte lëmoshë në rrugë.

Me ligjin e ri, nuk është i kënaqur, Dibran Gashi, i cili thotë se ky ligj ka mangësi.

Që t’i njihej e drejta për pension priti edhe Adil Jaka, i cili thotë se pensionistët janë lënë anash nga pushteti.

Ligji i ri ia ngjalli shpresat Isa Maliqit, i cili për pak muaj nuk arriti të merrte pensionin e plotë për përvojën e punës, sa ishte në fuqi kushti për 15 vjet.

Fondi Pensional ku rreth 90 mijë pensionistë dhanë kontributet e tyre po vazhdon të mbahet kundërligjshëm nga Serbia, ani pse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg në vitin 2012 kishte marrë disa vendime në favor të pensionistëve kosovarë. 

Go to TOP