AAK ironizon me PDK-në e LDK-në: Le të na tregojnë si shkarkohet Qeveria, nëse jo me mocion?

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, thotë se partia e tij nuk e ka ndihmuar kryeministrin Albin Kurti të vijnë në pushtet, “e as nuk e ndihmon për të qëndruar në pushtet”.

Xhemaili ka dhënë kritika ndaj dy partive opozitare, PDK e LDK për mospërkrahje ndaj mocionit të paralajmëruar kundër Qeverisë nga AAK-ja.

Xhemaili ka thënë se është momenti i fundit që partitë tjera opozitare të tregojnë se si e mendojnë “ta çojnë Kurtin në shtëpi”, pasi që sipas tij, nuk i kanë dhënë përkrahje mocionit të AAK-së.

“Përderisa partitë e tjera opozitare pajtohen që qeverisja Kurti është e dëmshme për vendin dhe se Kurti duhet sa më parë të shkojë në shtëpi, njëkohësisht hezitojnë ta mbështesin mocionin e mosbesimit të Aleancës. Ky është nje tregues serioz i pavendosmërisë për të ruajtur vendin nga rreziqet e qe i sjell qeverisja. Prandaj tani është momenti që të tregojnë se si e mendojnë ata ta çojnë Kurtin në shtëpi nëse jo përmes mocionit! Apo vërtetë presin që të ndodh ndonjë mrekulli vetvetiu?”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka pyetur se “ata që e njohin Kushtetutën”, le të tregojnë si shkarkohet Qeveria nëse jo me mocion.

“Sa për t’i rikujtuar gjithë atyre që akuzojnë se Aleanca paska ndihmuar ardhjen e Kurtit në pushtet, kjo le te mbetet ne ndërgjegjen e secilit. As se kemi ndihmuar as nuk e mbajmë në pushtet. Mos rreshtimi pas nismës për mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie, mund të jetë zgjatje e agonisë në vend, me ose pa vetëdije. Ju që dini me e lexu Kushtetutën a po na tregoni si shkarkohet qeveria, nëse jo me mocion?”, ka shkruar ai tutje.

Go to TOP