Guri përkujtimor iu hoq me bager, nipi i Pashkë Markaj: Është vendosur me leje të pronarit të tokës, s’e di pse e hoqi

Guri që ishte vendosur në një arë në Korenicë të Gjakovës për ta përkujtuar Pashkë Markaj, nënën që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të eshtrave të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga forcat serbe, është hequr dje prej aty me një bager.

Për largimin e këtij guri, fillimisht ka reaguar profesori universitar, Ag Apolloni. Ai ka kërkuar nga Qeveria dhe qytetarët që ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë.

Sipas Apollonit, ka dyshime se pronari i tokës, Hasan Zenun Bala, e ka marrë këtë vendim për arsye fetare dhe politike.

Nipi i Pashke Markaj, pulmologu Flamur Marku ka thënë se nuk i di arsyet pse pronari i tokës e ka marrë një vendim të tillë.

Marku  ka shtuar se në kohën kur guri është vendosur, kjo është bërë me lejen e pronarit.

“E vërtetë qenka që e ka heq, por arsyen se di se në kohën kur është vendosë vetë e ka lejuar”, ka thënë Marku.

Cila është historia e nënës Pashkë Marku?

Historia e Pashkë Markut nuk është e panjohur në Kosovë. Më 27 prill 1999, në masakrën e Mejës ku ranë 374 martirë, ishin edhe dy djemtë e Pashkës, Gjovalini dhe Milani.

Ndonëse dihej se ishin vrarë në këtë masakër, trupat e të dyve u cilësuan si të zhdukur deri më vitin 2003 kur trupat e tyre u kthyen dhe u rivarrosën.

Për katër vite nëna Pashkë priti me shpresë për kthimin të gjallë të bijve të saj. Ajo madje kishte pohuar se nuk do të jetonte më nëse djemtë e saj nuk ktheheshin të gjallë.

Ashtu edhe ndodhi. Me 24 maj 2003 trupat e Gjovalinit dhe Milanit veçse ishin kthyer dhe tash po rivarroseshin.

E shpresa e nënës së tyre se ata do t’i ktheheshin të gjallë mori fund.

Vetëm tri ditë më pas, nëna Pashke i vuri flakën vetës për t’i dhënë fund jetës e dhimbjes për bijtë e saj.

Go to TOP