SHBA po e godet Serbinë “aty ku i dhemb më shumë”, ja si mund të detyrohet Vuçiç të njohë Kosovën
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, u duk se “mori kusuret” e Aleksandër Vulin, njeriut të tij të besuar, kur tha se sanksionet e vendosura ndaj drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ishin “përgjegjësi e tij”. Megjithatë, “kusuret” duket se do t’i vuajë në kurriz i gjithë vendi, pasi pas “ndëshkimit” të SHBA-së, mund të fshihen pasoja edhe më të rënda.
Mesa duket, ka ardhur koha që Serbia të paguajë për lidhjet e afërta, madje edhe miqësitë me Rusinë, që ka trazuar një botë të tërë. Dhe SHBA po e godet Beogradin, “aty ku i dhemb më shumë”, tek integrimi europian, i cili për një sërë shkaqesh, përfshirë edhe “bëmat” e Vulin, ka mbetur dhe do të mbetet për shumë gjatë “në vend numëro”.
“Ndëshkimi” i SHBA
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Vulinit më 11 korrik. Ai dyshohet se është përfshirë në afera korruptive dhe trafikim të drogës si dhe për lidhje me Rusinë. Sipas SHBA-së, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Vulinin po ashtu akuzohet se ka “avancuar” korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse serbe. Vetë Vuçiç tha se arsyet e sanksioneve ndaj Vulin “nuk janë krimi, por marrëdhënia e tij me Federatën Ruse”.
“Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë”, ishte reagimi ironik i presidentit të Serbisë. Kujtojmë se në maj, Vulin ishte në Moskë, ku u takua me oficerin e parë të inteligjencës së Putinit, sekretarin e Këshillit të Sigurimit rus, Nikolai Patrushev, i cili aktualisht po konsiderohet si “pasardhësi i parë i Putinit” dhe në gusht 2022, ai gjithashtu u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, në kohën e agresionit rus kundër Ukrainës.
Megjithatë, Vuçiç, sërish është treguar “kokëfortë”, dhe kurrsesi nuk ka pranuar ta shkarkojë Vulinin.
Anëtarësimi në BE
Sakaq, ndonëse DASH ka theksuar se këto sanksione janë ndaj individit, jo Serbisë, ka shumë deklarata dhe indikacione, që tregojnë se diçka fshihet përtej asaj që zgjedh Amerika të tregojë. Së fundmi, Senatori amerikan Chris Murphy tha se nëse Serbia dëshiron vërtet një të ardhme evropiane, nuk mund të ketë një shef të inteligjencës që komunikon hapur me Rusinë. “Unë do të doja që Vuçiç të shihte se sa i rrezikshëm është Vulin”, tha Murphy në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Senatori gjithashtu shtoi se SHBA-ja ia ka bërë të qartë, jo vetëm Serbisë, por të gjithë miqve amerikanë, se do të ketë pasoja nëse ato vende vendosin të mos i bashkohen sanksioneve dhe të përfshihen ende në aktivitete sekrete me rusët.
“Ne duam që Serbia të jetë pjesë e lëvizjes euroatlantike, që e ardhmja e saj të jetë në Evropë. Ne mendojmë se është në interesin e saj t’i dërgojë një mesazh të qartë Rusisë se pushtimi i Ukrainës nuk mund të tolerohet. Shpresoj që Vuçiq të shohë se Vulin kërcënon përpjekjet e tij për të ndërtuar miqësi me Evropën dhe SHBA-në”, tha ai.
Njohja e Kosovës
Sakaq, një qëndrim të ngjashëm ka patur edhe kryeredaktori i gazetës “Nova”, që ka treguar se çfarë qëndron pas sanksioneve amerikane ndaj Aleksandër Vulin. Sipas Ranko Pivljanin ky është një lloj presioni që po i bëhet Beogradit, jo për integrimin europian, por për njohjen e Kosovës.
“Sanksionet ndaj Vulin janë një lloj presioni, një lloj mesazhi se nuk do të luajmë më, se koha që i mbetet për të përfunduar disa gjëra po mbaron dhe kështu bëhet. Çështja nuk do të qetësohet dhe gjithçka do të falet”, tha Pivljanin.
Moska nga ana tjetër, beson se është “një presion tjetër ndaj Serbisë” për t’u larguar nga Rusia dhe, siç thonë ata, për të hequr dorë nga “politika e saj parimore që ajo ka adoptuar që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë” dhe të detyrohet të vendosë sanksionendaj Rusisë, të cilat Serbia ka arritur t’i shmangë për gati një vit e gjysmë.
Gazeta e qeverisë ruse “Rossiyskaya” megjithatë, shkruan e bindur se “as kjo nuk do ta detyrojë Vuçiçin të vendosë sanksione ndaj Rusisë”. Agjencia pro regjimit TASS thekson se sanksionet ndaj Vulin u vendosën për shkak se ai është i lidhur me Rusinë, e cila akuzohet se drejton një politikë destabilizuese në Ballkan.
